I përfshirë në trafikun e drogës me Habilajt, arrestohet në Berat ish-shefi i Policisë, Sokol Bode

Arrestohet në Berat ish-shefi i Policisë, së Dhërmiut Sokol Bode.

Burime konfidenciale pranë bluve të Beratit, bënë me dije se ai është arrestuar në orën 21:25 minuta, të 11 gushtit 2022, në një banesë në lagjen "Uznovë e Madhe" në Berat.

Ish-zyrtari i lartë i policisë kishte 5 vite në arrati, ndërsa ishte dënuar në muajin prill të këtij viti me 12 vjet burg, nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar, për akuzat e “Kultivimit të bimëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Trafikimit të narkotikëve”. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar ishte vendosur dënimi përfundimtar me 8 vjet burg.

Bode dyshohet se lehtësonte veprimtarinë e trafikut të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, me të cilët kishte lidhje e madje është shfaqur dhe në foto në shoqerinë e tyre, dhe urdhërarresti për të ishte lëshuar në nëntor të vitit 2017.

Ishte kthyer nga Anglia

Ish-shefi i Policisë  në Dhërmi kishte vetëm 4-ditë që ishte kthyer në Berat nga Britania e Madhe ku dyshohet se jetonte që nga koha që emri i tij u përfol si anëtar i organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Operacioni

Menjëherë pasi policia ka marrë informacion për vendndodhjen e saktë të tij, në drejtim të banesës janë nisur 2 furgona policie të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. Kanë qënë pikërisht forcat operacionale të Beratit ata që kanë hyrë në banesën dy katëshe ku jetonte Bode dhe në ndihmë të tyre kanë qënë edhe efektivë të forcave Shqiponja.

Kur forcat e policisë kanë hyrë në banesën e Sokol Bodes, e kanë gjetur të shtrirë në divanin e sallonit të tij dhe mësohet se i shumëkërkuari nuk ka bërë rezistencë.

Pas futjes së policisë në banesë, nëna e Bodes ka shpërthyer në lot, ndërkohë që ish-shefi i policisë e ka qetësuar duke i thënë "Qetësohu se kjo dihej".

Burimet bëjnë me dije se përpara se të hipte në furgonin e policisë, Bode ka kërkuar 2 minuta kohë të ndahej me familjen dhe vëllain e tij me aftësi të kufizuara,që ndodhej në rrugën jashtë banesës.

Në lidhje me grupin kriminal të vëllezërve Habilaj, Prokuroria e krimeve të rënda e më pas SPAK, ngriti akuza edhe për punonjësin e policisë Gjergji Kohila dhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela të cilët janë vetëdorëzuar dhe vuajnë dënimet. Ish-drejtuesit e Policisë së Vlorës kanë ushtruar këtë aktivitet gjatë viteve 2013-2016.

Bazuar në hetimet e drejtësisë italiane dhe asaj shqiptare përfundoi në burg edhe ish-ministri Tahiri, pasi u dënua me vendim të formës së prerë për “shpërdorim detyre” më 4 shkurt 2022, ndërsa ndaj këtij vendimi Prokuroria e Posaçme ka bërë rekurd në Gjykatën e lartë.

Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor të 2019-ës.

(Shenim:Lajmi u perditesua)