Vdes në moshën 73 vjeçare Olivia Newton-John, ylli i "Grease" në betejë me kancerin prej 30 vitesh
Fansat kanë bërë homazhe në nder të këngëtares dhe aktores Olivia Newton-John, e cila ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare, pas një beteje 30-vjeçare me kancerin. Ylli i "Grease" dhe artistja fituese e çmimit “Grammy” i kushtoi shumë nga koha e saj bamirësive.
Me dhjetëra fansa janë mbledhur në “Hollywood walk of Fame” në Los Anxhelos për të nderuar Olivia Newton-John.
Këngëtarja, e cila fitoi famë botërore si "Sandy" në filmin muzikor hit "Grease", ndërroi jetë pas një beteje 30-vjeçare me kancerin. Ajo ishte 73 vjeç.
Newton-John "u shua paqësisht në fermën e saj në Kaliforninë Jugore këtë mëngjes, e rrethuar nga familja dhe miqtë", thuhet në një deklaratë nga bashkëshorti i saj John Easterling, postuar në llogaritë e saj zyrtare në mediat sociale.
Fituesja e çmimit “Grammy”, karriera e së cilës zgjati më shumë se pesë dekada, duke përfshirë këngët kryesore si "Physical", i kushtoi shumë nga koha e saj në vitet e mëvonshme organizatave bamirëse pasi u diagnostikua për herë të parë me kancer gjiri në 1992.
E lindur në Britani dhe e rritur në Australi, ajo ia dedikoi një numër albumesh dhe koncertesh mbledhjes së fondeve për kërkime dhe zbulimin e hershëm të sëmundjes, duke përfshirë ndërtimin e një qendre shëndetësore në shtëpinë e saj në Melburn.
Në deklaratën e familjes nuk jepet asnjë shkak i vdekjes.
Ndërkohë, të shumtë janë artistët dhe personalitetet që shprehen këqardhjen për ndarjen nga jetë të Neëton-John në rrjetet sociale, mes tyre edhe aktori John Travolta, partneri i saj në filmin që i dha famën "Grease".