VIDEO/Moti i keq godet rajonin e Campanias në Itali, "lumi" i baltës dhe ujit merr përpara makinat
Një valë e dhunshme e motit të keq goditi Campanian në Itali. Në Monteforte Irpino, një qytet në periferi të Avellino, një lumë balte ka pushtuar rrugët, duke tërhequr zvarrë për qindra metra makina të shumta të parkuara. Autoritetet u kërkuan qytetarëve që të mos dalin nga shtëpitë e tyre.
Pesë persona u evakuuan. Uji dhe balta shkaktuan dëme të rënda në qendrën historike pas reshjeve të dendura të shiut që nisën pasdite.
Makinat tërhiqen zvarrë nga uji dhe balta - Situata është kritike veçanërisht në Piazza Aldo Moro, ku ndodhet bashkia, zonë e goditur rëndë tashmë dy vjet më parë, gjatë përmbytjes së shtatorit 2020. Janë dhjetëra zjarrfikës të angazhuar për të shpëtuar shoferë të ngecur në makina, të tërhequr zvarrë për qindra metra në rrugët e qytetit.
Probleme edhe në Caserta, ku ka pemë të rrëzuara, barriera të shkulura dhe rrugë të shndërruara në përrenj të vrullshëm.