Përsëritet precedenti i Krimesë/ Në shtator në Zaporizhje mbahet referendumi për bashkim me Rusinë
Siç ishte paralajmëruar rajoni i pushtuar në jug të Ukrainës ka nënshkruar të hënën dekretin për mbajtjen e referendumit në muajin shtator për t’u bashkuar me Rusinë. Zelenski thotë se referendumet mund të fshijnë mundësinë për negociata me Moskën.
Udhëheqësi rus i rajonit të pushtuar të Zaporizhjes në Ukrainë, Evgenij Ballickij ka nënshkruar një urdhër për mbajtjen e një referendumi për bashkimin e territorit me Rusinë.
Rreth 700 delegatë të administratës ruse të rajonit ukrainas u mblodhën të hënën në orët e mesditës në Melitopol ku ranë dakord që referendumi i paralajmëruar të mbahet në muajin shtator.
Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zellenski në video-mesazhin e tij të fundit paralajmëroi se mbajtja e referendumeve në rajonet jugore të vendit do të mbyllte çdo mundësi negocimi me Rusinë.
Lidhur me këto deklarata, Kremlini pretendon se lëvizjet për bashkim me Rusinë nuk janë direktiva të Moskës, por dëshira e popullit.
Gjatë të ashtuquajturit operacion special, ushtria e Moskës pushtoi rajonet Kherson dhe Zaporizhje në jug të Ukrainës.
Aty janë formuar administrata pro-ruse, ndërsa televizionet dhe stacionet radiofonike transmetojnë lajme dhe programe vetëm në rusisht.
Po ashtu rajoni po i rikthehet lidhjeve tregtare me Moskën.
Kujtojmë që në 2014 gadishulli i Krimesë u aneksua nga Rusia pas një referendumi të kontestuar nga bota perëndimore.
