Aktorja e Hollywood vizitë në Kiev, takohet me presidentin Zelensky

Aktorja amerikane Jessica Chastain, është mes personaliteteve botërore që ka viztuar së fundmi Kievin, ku është takuar me Presidentin e Ukrainës. Volodymyr Zelensky pas kësaj vizite u shpreh se falë saj, bota do të dëgjojë dhe kuptojë të vërtetën për atë që po ndodh në Ukrainë.

Aktorja e amerikane Jessica Chastain, fituese e çmimit “Oscar”, ishte në Kiev në fundjavë.

Ajo vizitoi spitalin e fëmijëve Okhmatdyt dhe më pas u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe kreun e administratës presidenciale Andriy Yermak.

Zelenskyy postoi fotografi të takimit në rrjetet sociale me shënimin:

“Aktorja amerikane Jessica Chastain është sot në Ukrainë. Për ne, vizita të tilla të njerëzve të famshëm janë jashtëzakonisht të vlefshme. Falë saj, bota do të dëgjojë, dijë dhe kuptojë të vërtetën për atë që po ndodh në vendin tonë edhe më shumë. Faleminderit për mbështetjen!"

Në fjalimin e tij të përditshëm drejtuar popullit të Ukrainës, Zelenskyy u shpreh:

 “Historia e saj për luftën tonë do të dëgjohet patjetër. Ne po përgatisim një ngjarje të rëndësishme humanitare. Dhe jam mirënjohës për të gjithë miqtë e Ukrainës jashtë vendit dhe për të gjithë ata që ndihmojnë në zgjerimin e lidhjeve tona në botë. Ne po bëjmë gjithçka për të fituar, gjithçka për të mbrojtur vendin tonë.”

Chastain, e cila fitoi Oskarin për aktoren më të mirë këtë vit për interpretimin e saj në "The Eyes of Tammy Faye", është një prej personaliteteve më të fundit që shfaq mbështetjen për Ukrainën, ku vazhdon pushtimi rus i vendit.

Më herët Ukrainën e kanë vizituar aktorët, Ben Stiller, Sean Penn, Liev Schreiber dhe Angelina Jolie.

Aktorja e Hollywood vizitë në Kiev, takohet me presidentin Zelensky