Gaza, Egjipti bën thirrje për armëpushim nga ora 23:30 e mbrëmjes së sotme
Egjipti bën thirrje për një armëpushim nga sot në orën 23:30 mes Izraelit dhe organizatës së armatosur palestineze Xhihadi Islamik, njoftoi një zyrtar i shërbimeve egjiptiane të sigurisë.
“Egjipti u bën thirrje të gjitha palëve për një armëpushim në Rripin e Gazës nga ora 23:30 me orën lokale”, tha zyrtari.
Menjëherë pas kësaj, organizata palestineze tha në një deklaratë se do të pushonte sulmet në përputhje me thirrjen egjiptiane, por vuri në dukje të drejtën e saj për t'iu përgjigjur çdo sulmi të ri izraelit.
Edhe Izraeli paralajmëroi se " nëse armëpushimi do të shkelet, shteti i Izraelit rezervon të drejtën të përgjigjet me forcë".
Kreu i Drejtorisë Kombëtare të Diplomacisë Publike Lior Haiat theksoi se "ne nuk do të lejojmë asnjë faktor të cenojë jetën e banorëve të shtetit të Izraelit."
Izraeli falënderon Egjiptin për ndërmjetësimin, tha Haiat.
Armëpushimi i jep fund Operacionit Breaking Dawn pas tre ditësh.

