Ndërmjetësoi Egjipti, Izraeli dhe Palestina bien dakord për armëpushim
Palestina dhe Izraeli duket se e kanë gjetur më lehtë gjuhën për të vendosur një armëpushim megjithëse të përkohshëm. Egjipti ka ndërmjetësuar në vendosjen e paqes pas tre ditësh konflikte ndërsa mbi 40 persona kanë humbur jetën.
Një marrëveshje armëpushimi është respektuar gjatë natës mes shtetit të Izraelit dhe militantëve të Palestinës pas tre ditësh konflikte të armatosura.
Egjipti, i cili ishte angazhuar prej ditësh për të qetësuar gjakrat ia arriti qëllimin mbrëmjen e së shtunës, kur palët firmosën armëpushimin.
Palestinezët dhe grupi i Xhihadistëve islamikë e festuan momentin.
Të paktën 44 persona humbën jetën si pasojë e raketimeve në javën e kaluar.
Liderët e Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të vazhdojnë të respektojnë armëpushimin.
Presidenti amerikan, Joe Biden, u bëri thirrje të gjitha palëve që të respektojnë armëpushimin dhe të sigurohen që furnizimet humanitare dhe të karburanteve të mund të dërgohen në Gaza.
Ai po ashtu kërkoi që të hetohen rastet e vdekjeve të civilëve.
Ushtria izraelite më 7 gusht konfirmoi se po sulmonte caqet e Xhihadit Islamik Palestinez në Gaza, pak para hyrjes në fuqi të armëpushimit.
Izraeli tha se sulmet ishin në kundërpërgjigje të raketave të hedhura nga Gaza.
Mediet izraelite po ashtu raportuan se janë hedhur disa raketa pak pas afatit për hyrjen në fuqi të armëpushimit. Por, raste të tjera të dhunës nuk janë raportuar gjatë natës.
Dhuna e fundit nisi me sulmet izraelite në Rripin e Gazës, pasi ushtria izraelite tha se po kundërpërgjigjej ndaj kërcënimeve të grupit militant. Në ditët pasuese tensionet u rritën dhe Izraeli arrestoi një anëtar të lartë të Xhihadit Islamik Paelestinez në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Të dielën mbrëma, Ministria palestineze e Shëndetësisë raportoi se 15 fëmijë janë në mesin e 44 viktimave të regjistruara në dhunën e fundit.
Pala palestineze fajësoi Izraelin për këto vdekje. Po ashtu kjo ministri raportoi për mbi 300 të plagosur.
Izraeli ka fajësuar militantët e Xhihadit Islamik Palestinez për disa nga vdekjet që kanë ndodhur së fundmi brenda Gazës. Ushtria izraelite të dielën fajësoi këtë grup për sulmet me raketa që kanë vrarë disa fëmijë në Jabalia.
Izraeli ka thënë se ka të drejtë të përgjigjet fuqishëm nëse shkelet armëpushimi.
