"Vizitë e pamundur, luftë e mundshme", Pekini blindon provincat pranë Tajvanit: Do t’i përgjigjemi vizitës së Pelosit
Vizita e mundshme e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në Tajvan ka xhindosur Pekinin. Tanket kineze janë duke patrulluar edhe nëpër plazhe ndërsa fluturimet janë anuluar. SHBA-të kanë paralajmëruar Kinën që të mos shkaktojë tensione.
Ministria e Jashtme kineze konfirmoi vendimin e Pekinit se do t’i kundërpërgjigjet ashpër vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan.
Zëdhënësja e zyrës së diplomacisë kineze tha të martën se Pekini do të ndërmarrë të gjitha veprimet për të mbrojtur integritetin territorial të vendit lidhur me vizitën e zyrtares amerikane.
"Ne po i kushtojmë vëmendje rrugës së Pelosit dhe nëse SHBA vepron pa marrë parasysh opinionet e të tjerëve, Kina me siguri do të marrë masa vendimtare dhe të ashpra për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat e sigurisë," tha ajo.
Mediet kineze kanë shpërndarë disa video të forcave ushtarake të cilat janë duke kryer stërvitje, ndërsa raportohet se të gjitha fluturimet në rajon janë anuluar.
Videoja e ngarkuar në mediet sociale shfaq forcat e Ushtrisë Çlirimtare Popullore duke u vendosur nëpër plazhet pranë provincës së Fuzhianit.
Mbrëmjen e së hënës, sekretari i Shtetit Anthony Blinken tha se Pekini do të jetë përgjegjës nëse tensionet në lidhje me vizitën e Pelosit do të përshkallëzohen.
Ligjvënësja demokrate aktualisht ndodhet në Malajzi në kuadër të turit të saj aziatik, ndërsa të hënën vizitoi edhe Singaporin.
Zonja Pelosi nuk e përmendi vizitën e saj në Tajvan përpara se të nisej nga Uashingtoni, megjithëse mediet tajvaneze pretenduan të hënën se kryetarja e Kongresit do të vizitonte Taipein të martën në mbrëmje.
Nëse avioni i saj ulet në Tajvan do të përbënte vizitën më të rëndësishme nga një zyrtare amerikane të nivelit të lartë që prej vitit 1997.
Pekini e konsideron ishullin provincën e saj dhe kundërshton çdo kontakt të zyrtarëve të Taipeit me zyrtarë të rangut të lartë me të cilat Kina ka marrëdhënie diplomatike.
Njoftimet për një vizitë të mundshme në ishull nga Pelosi, të cilin Pekini e quan zyrtari i tretë më i rëndësishëm në qeverinë amerikane, pritej të provokonte një reagim shumë negativ nga Kina.