Ukraina, anija e parë e ngarkuar me grurë u largua nga Odessa

Pas më shumë se 5 muajsh bllokadë, këtë të hënë ka nisur zyrtarisht eksporti i drithit nga portet ukrainase. Kombet e Bashkuara dhe Turqia po asistojnë në proces ndërsa globi është në prag të krizës ushqimore.

Siç ishte paralajmëruar anija e parë me drithë ka lënë portin e Odesës në Ukrainën.

Lajmin e ka konfirmuar Kievi dhe Ankaraja, ndërsa Rusia vijon sulmet e intensifikuara në jug të Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes së Turqisë tha se pret që anija të arrijë në Stamboll më 2 gusht.

Kievi ka falënderuar të gjitha shtetet partnere dhe Kombet e Bashkuara që kanë mundësuar zbatimin e marrëveshjes për eksportet e drithërave që u arrit në Stamboll.

Qendra e përbashkët e koordinimi, që është një organizatë me seli në Stamboll, e që mbikëqyrë eksportet, tha se anija Razoni po transporton mbi 26.000 tonë misër.

Ukraina dhe Rusia kanë nënshkruar marrëveshje, së bashku me Turqinë dhe Kombet e Bashkuara më 22 korrik për të zhbllokuar eksportet e drithërave nga tri portet ukrainase, pasi ato u bllokuan qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ukraina dhe Rusia janë dy prej eksportuesve më të mëdha në botë të drithërave.

Marrëveshja e arritur në Stamboll mundëson që miliona tonë grurë dhe plehra të mund të transportohen në mbarë botën, e cila po përballet me krizë ushqimore.