Pas vendimit të Gazpromit për të ulur furnizimet, rriten çmimet e gazit
Çmimet e gazit janë rritur për 9 % pasi Rusia ka zvogëluar sasinë e gazit që çon në Gjermani dhe vende tjera të Evropës Qendrore.
Kritikët akuzojnë Qeverinë ruse se po përdor gazin si armë politike, prej kur Rusia ka nisur luftën në Ukrainë më 24 shkurt.
Rusia i ka zvogëluar furnizimet në gazsjellësin Rrjedha Veriore 1, që bart gazin në Gjermani.
Ky gazsjellës tani është duke operuar me një të pestën e kapacitetit që ka.
Gjermania importon 55% të gazit të saj nga Rusia dhe pjesën më të madhe e siguron përmes Rrjedhës Veriore 1.
Megjithatë, Qeveria gjermane, ka thënë se nuk ka arsye teknike për të zvogëluar sasitë.
Ukraina e ka akuzuar Moskën për “luftë gazi” kundër Evropës, si dhe për ndalje të furnizimeve për të nxitur "terror” ndaj njerëzve.
“Shantazhi me gaz në Evropë, që vetëm sa shkon e përkeqësohet çdo muaj, është i nevojshëm për shtetin terrorist në mënyrë që të vështirësojë jetën e çdo evropiani”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Këto vendime të Gazpromit rrisin presionin në shtetet e BE-së, të cilat janë duke diskutuar si të ulin varësinë që kanë ndaj gazit rus.
Të martën, Ministrat e Bashkimit Evropian për Energji kanë arritur pajtueshmëri që shtetet e tyre të zvogëlojnë përdorimin e gazit, në rast se Rusia ndal furnizimet.
Ato janë pajtuar që vullnetarisht të zvogëlojnë përdorimin e gazit për 15 %, nga gushti deri në muajin mars.
Marrëveshja për zvogëlim vullnetar të përdorimit të gazit mund të bëhet e detyrueshme në rast të ndonjë emergjence.
BE-ja ka thënë se disa shtete, që nuk janë të lidhura me gazsjellës të vendeve tjera, mund të përbëjnë përjashtim nga kërkesa për një zvogëlim të tillë, meqë nuk kanë furnizime alternative./REL