Putin vizitë në Iran, në fokus bashkëpunimi ekonomik, takim edhe me Erdoganin

Lindja e Mesme është bërë fusha e shahut diplomatik mes superfuqive botërore. Me përfundimin e turit të Bidenit në këtë rajon, këtë javë pritet të mbërrijë lideri rus Putin në Teheran. Putini do të takohet me Ajatollahun Khamenei si dhe me homologun turk Erdogan, në Teheran.

Të martën e kësaj jave, presidenti Putin mbërrin në Teheran për një takim trilateral me Ajatollahun Khamenei dhe presidentin turk Erdogan.

Kjo është vizita e dytë jashtë vendit që pas nisjes së luftës në Ukrainë. Përballja mes amerikanëve dhe rusëve tashmë është bërë realitet jo vetëm në Ukrainë, por edhe në rrafshin diplomatik.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Irani ka qenë aleat i hershëm i rusëve dhe kinezëve, teksa amerikanët dhe aleatët e tyre në rajon e shohin si kërcënim për paqen dhe stabilitetin e Lindjes së Mesme.

Ndersa presidenti amerikan Biden përfundon turin e tij në Lindjen e Mesme, Putini shkon për të takuar aleatin e tij dhe për të diskutuar me presidentin Erdogan mbi Ukrainën dhe Sirinë.

Analistët e rajonit e shohin me shumë rëndësi këtë lëvizje të Rusisë. Sipas tyre, Irani është afruar më shumë me Kinën dhe Rusinë pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëvshja bërthamore.

Më herët, në mars të vitit të shkuar, Teherani nënshkroi një marrëveshje 25-vjeçare bashkëpunimi strategjik me Kinën, si edhe një marrëveshje të ngjashme 20 vjeçare me Moskën.

Kjo aleancë e Iranit me Moskën dhe Pekinin është parë si kërcënim nga aleatët e amerikanëve në rajon. Ndërkohë, Irani ka ndryshuar politikën e vet duke thënë se do të fokusohet më shumë në 'Lindje', sepse aty ka

vende që mund ta ndihmojnë dhe të ndërveprojnë në baza të barabarta. “Ne i ndihmojmë ata, edhe ata na ndihmojnë neve”, tha Ajatollahu në një komunikim të tijin për këtë ndryshim të politikës së Iranit.

Si Moska po ashtu edhe Teherani kanë kërkuar të zgjerojnë lidhjet ekonomike pas luftës Rusi-Ukrainë. Në korrik Guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit udhëtoi për në Moskë ku u takua me zyrtarë të lartë rusë.

Ndërkohë, në Teheran, presidenti Putin do të takohet edhe me homologun e tij turk Erdogan ku pritet të bisedojnë për Sirinë.

Rusët kanë bazat e tyre ushtarake në Siri, një pozicion i rëndësishëm për të kontrolluar zona në Lindjen e Mesme. Ndërhyrja e turqve në zonën kurde të Sirisë kërkon doemos një “Ok” edhe nga rusët.