Vdes në paraburgim britaniku i kapur nga separatistët pro-rusë

Shtetasi britanik Paul Urey, i cili u kap rob nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainë, ka vdekur në paraburgim, sipas raportimeve në media.

Mbretëria e Bashkuar shprehet se po kërkon sqarime urgjente nga Ukraina dhe qeveria ruse mbi raportet për vdekjen e një punonjësi humanitar britanik.

“Ne po e ngremë urgjentisht këtë me aleatët tanë ukrainas dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme ruse”, tha zyra e Ministrisë së Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.

“Ne vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me familjen”.

Urey, nga Warrington, Cheshire, u arrestua në një pikë kontrolli pranë qytetit juglindor të Zaporizhias në prill dhe u akuzua si mercenar.

Ai u mbajt rob në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donjeckut (DPR) së bashku me një person tjetër, Dylan Healy, ndërsa thuhet se po përpiqej të shpëtonte një grua dhe familjen e saj të bllokuar nga luftimet.

Një përfaqësues i separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore deklaroi sot (15 korrik) se britaniku Paul Urey kishte vdekur në paraburgim.