Biden në samitin e vendeve arabe, marrëveshje me sauditët për Iranin dhe energjinë

Pas qendrimit në Izrael, në kuadër të turit të tij në Lindjen e Mesme, presidenti Biden është drejtuar në Arabinë Saudite për të marrë pjesë në samitin e vendeve arabe. Amerikanët dhe sauditët kanë biseduar mbi sigurinë rajonale me në qendër Iranin, si dhe energjinë.

Presidenti amerikan Joe Biden ndodhet në Lindjen e Mesme në kuadër të një turi disaditor, ndërsa ka zhvilluar takime me aleatët.

Këtë fundjavë ai do të marrë pjesë në samitin e vendeve arabe në Arabinë Saudite për të diskutuar mbi sigurinë rajonale dhe energjinë.

Kriza energjitike që ka shkaktuar lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka sjellë që amerikanët të kërkojnë nga aleatët e vendeve të Gjirit që të shtojnë prodhimin e naftës.

Gjithashtu, një problematikë tjetër e shtruar si në takimin me izraelitët dhe sauditët është Irani. Adiminstrata Obama nënshkroi një marrëveshje me Iranin për armët bërthamore, e cila u braktis nga administrata Trump.

Sot amerikanët po kërkojnë një marrëveshje të re, por aleatët në Lindjen e Mesme janë skeptikë për një marrëveshje me Iranin.

Amerikanët janë duke negociuar me aleatët për të ndërtuar një parteritet më të madh mes Izraelit dhe vendeve të tjera në gadishullin arabik, teksa, në të njëjtën kohë janë zotuar se nuk do ta lejojnë Iranin të ndërtojë armë bërthamore.

"Amerikanët kanë për qëllim të sigurojnë që të mos ketë një vakum në Lindjen e Mesme që Kina dhe Rusia ta mbushin," tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Sullivan, në një konferencë për shtyp.