Trazirat e 6 janarit në Washington, grupi hetimor: Duam mesazhet e Shërbimit Sekret, dyshojmë se janë fshirë

Grupi hetimor për trazirat në Kapitol, ku humbën jetën 5 persona, ka kërkuar nga Shërbimi Sekret që t’i dorëzojë gjithë komunikimet e tyre të ditës kur ndodhën trazirat. Sipas zyrtarëve amerikanë, ka dyshime se shumë mesazhe të Shërbimit Sekret që mbrojnë jetën e presidentit janë fshirë.

Ligjvënësit amerikanë, pjesë e grupit që po heton ngjarjet e dhunshme të 6 janarit 2021 në Washington, kanë kërkuar mesazhet që ka shkëmbyer Shërbimi Sekret në atë ditë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ata kanë dyshime se mund të ketë tekste mesazhesh të fshira nga Shërbimi Sekret, personat që janë përgjegjës për ruajtjen e jetës së presidentit amerikan.

Bennie Thompson, kryetari i komitetit, tha se paneli po kërkonte "tekstet e mesazheve, si dhe çdo raport të hartuar në të gjitha divizionet e Shërbimit Sekret që kanë të bëjnë ose kanë lidhje me ngjarjet e 6 janarit.

Dyshimet kanë lindur pasi Departamenti i Sigurisë Kombëtare u dërgoi një letër ligjvënësve ku shkruante se "shumë" mesazhe ishin fshirë nga Shërbimi Sekret.

Kjo akuzë është mohuar nga Shërbimi Sekret duke thënë se disa të dhëna telefonike kanë humbur gjatë një pastrami rutinë të kompjuterave dhe pajisjejeve të anëtarëve të Shërbimit.

Agjentët e Shërbimit Sekret ishin së bashku me Presidentin e atëhershëm Donald Trump dhe ish-zv presidentin Pence gjatë ditës së trazirave.

Më 6 janar 2021,  qindra mbështetës të Trumpit sulmuan Kapitolin në një përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së Joe Bidenit. Për shkak të dhunës, pesë persona humbën jetën, duke përfshirë një oficer policie. Sot qindra njerëz përballen me akuza penale për pjesëmarrje në trazira.