Protesta fiton kauzën në Sri Lanka, Presidenti i vendit ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të shtetit

Presidenti i Sri Lankas i cili u largua nga vendi në mënyrë të turpshme si pasojë e kryengritjes së qytetarëve ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga kreu i shtetit. Edhe pse vendi vijon të përjetojë krizën më të rëndë ekonomike prej 70 vitesh, protestuesit kanë fituar moralisht.

Kryetari i Parlamentit të Sri Lankës ka konfirmuar zyrtarisht se presidenti i vendit Gotabaja Rajapaksa ka dhënë dorëheqjen duke cituar deklaratën zyrtare të kryetarit të shtetit të bërë në një konferencë për shtyp në rezidencën e tij.

Në fund të javës së kaluar, turma të mëdha protestuesish mësynë në godinën qeveritare të presidentit.

Ai njoftoi se do të jepte dorëheqjen, por më pas u arratis nga vendi, e cila shkaktoi një valë të re protestash, pasi ndryshe nga pritshmëritë e protestuesve, Rajapaksa nuk ia dorëzoi dorëheqjen Kuvendit dhe emëroi si president të përkohshëm kryeministrin.

Vendimi irritoi më shumë protestuesit të cilët sulmuan gardhet rrethuese të godinës së Kryeministrisë dhe më pas hynë në seli duke mposhtur forcat e sigurisë.

Sri Lanka po përjeton krizën më të keqe ekonomike që nga pavarësia e saj në vitin 1948.

Pandemia e koronavirusit ka goditur sektorin e turizmit i cili është burimi kryesor financiar i shtetit ishullor dhe gjithashtu një element i rëndësishëm për blerjen e karburantit.

Qytetarët janë përballur me mungesë ushqimi, nevojash elementare, ilaçe dhe gaz.

Shumë zona përballen me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë, ndërsa në të njëjtën kohë borxhi i jashtëm i kombit ishullor vlerësohet të jetë 51 miliardë dollarë.