Nisin intrigat brenda konservatorëve, Johnson anti-fushatë kundër ish-sekretarit të Thesarit, Rishi Sunak

Pas dorëheqjes së Boris Johnson 5 kandidatë ia kanë dalë të arrijnë në raundin e tretë të zgjedhjeve. Mediet britanike kanë mësuar se kreu i qeverisë në detyrë po bën anti-fushatë kundër vartësit të tij me pretendimin se do të jetë i butë kundrejt Rusisë dhe se ai është shkaktari i rrëzimit të qeverisë.

Ndërsa 5 pretendentë për t’u bërë kryeministër kaluan në raundin e tretë të zgjedhjeve, Boris Johnson u ka kërkuar konservatorëve të votojnë për këdo përveç se ish-sekretarin e Thesarit, Rishi Sunak.

Në fakt Sunak është edhe më i pëlqyeri në mes të konservatorëve, duke marrë 101 vota në raundin e dytë.

Ai ndiqet nga zëvendësministrja për Tregtinë Ndërkombëtare Penny Mordont e cila mori 83 vota.

Johnson edhe pse ka deklaruar se nuk do të mbështeste asnjë nga kandidatët publikisht, ai mësohet t’u ketë thënë konservatorëve të votojnë këdo përveç Rishi Sunak.

Të njëjtat burime për mediet britanike thonë se 57-vjeçari mbështet drejtpërsëdrejti sekretaren e Jashtme, Liz Truss.

Gazeta ‘Times’ vë në dukje se Sunak ishte një nga të parët që u largua nga kabineti Johnson, duke shënuar fillimin e kolapsit të qeverisë së tij, që çuan më pas në dorëheqje.

Lidhur me këtë, prestigjiozja britanike shkruan se i gjithë stafi i Johnson akuzon Rishi Sunak për rrëzimin e qeverisë, duke pretenduar se ai e kishte planifikuar skemën për muaj të tërë.

Një tjetër burim i Times pohoi se Johnson kishte shprehur shqetësime se Sunak do të ishte 'i butë' ndaj Vladimir Putinit dhe luftës së tij në Ukrainë dhe do të lehtësonte sanksionet ndaj Rusisë.

Johnson, i cili zëvendësoi Theresa May si kryeministre në 2019, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe drejtimi i Parisë Konservatore pas një sërë skandalesh që shpërthyen në Downing Street.

Ai do të shërbejë deri në emërimin e kreut të ri të kabinetit.