Ngrihet gjykata e posaçme: 45 vende angazhojnë fonde për të hetuar krimet e luftës në Ukrainë

Ashtu si krimet serbe në Ballkan, edhe në krimet ruse në Ukrainë do të hetohen dhe gjykohen nga një gjykatë e posaçme ndërkombëtare. 45 vende përfshi SHBA-në dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhanë dakordësinë e tyre në takimin e Holandës për mundësinë e krijimit të një gjykate të posaçme për këtë çështje.

Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar rreth 45 vendeve të tjera që kanë rënë dakord të koordinojnë hetimet për krimet e luftës që akuzohet se ka kryer Rusia në Ukrainë.

Holanda ka ngritur madje mundësinë e krijimit të një gjykate të posaçme për këtë.

Takimi ndërkombëtar në Hagë zhvillohej ndërsa u njoftua një tjetër raund sulmesh vdekjeprurëse me raketa ruse në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm holandez tha se drejtësia duhet të vendoset ndaj mizorive të dyshuara ruse në Ukrainë – ndoshta duke ngritur një gjykatë speciale për t’i gjykuar ato.

Ukraina ka bërë thirrje tashmë për një gjykatë të tillë – të ngjashme me ato të ngritura për të gjykuar mizoritë e kryera gjatë gjenocidit në Ruandë ose në ish-Jugosllavi.

Presidenti Volodymyr Zelensky e përsëriti këtë kërkesë nëpërmjet një lidhjeje videofonike gjatë takimit të së enjtes në Holandë, të titulluar “Llogaridhënia për Ukrainën”.

Vendet pjesëmarrëse premtuan 20 milionë dollarë për të mbështetur Gjykatën Penale Ndërkombëtare të OKB-së (IÇ), dhe ekspertë të tjerë që hetojnë mizoritë e dyshuara të lidhura me konfliktin e nisur nga Rusia në Ukrainë.

Nga ana e saj Rusia ka mohuar të ketë vendosur në objektiv civilët në Ukrainë. IÇ-ja nuk ka juridiksion për të ndjekur penalisht autorët e dyshuar, sepse as Ukraina dhe as Rusia nuk janë vende anëtare të gjykatës.

E dërguara e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Uzra Zeya tha se mizoritë për të cilat akuzohet Rusia në Ukrainë, u ngjasojnë atyre që ajo ka bërë në vende të tjera.