Për pushime me çdo kusht, rritja e çmimeve nuk i ndalon kosovarët që të pushojnë në verë
Xhepat e shqiptarëve janë të pamjaftueshme për të bërë disa ditë plazh në bregdetin tonë, por shqiptarët e Kosovës, të cilët janë të vetëdijshëm për rritjen e lartë të çmimeve thonë se do të vijnë për të pushuar në Shqipëri me çdo kusht.
Rritja e çmimeve si rezultat i inflacionit të lartë nuk i ka detyruar shqiptarët e Kosovës që të pezullojnë pushimet verore.
Të bindur se rritja e çmimeve ka ardhur si rezultat i luftës në Ukrainës, qytetarët në Prishtinë thonë se kanë punuar gjithë vitin për periudhën e verës.
“11 muaj kam fituar dhe një muaj me u kënaq. Gjithandej janë rritur çmimet. Shkak kryesor është lufta.”
“Janë rritur shumë, por duket me shkuar në pushime.”
“Çmimet janë rritur, por e kemi ditur se do të ndodhë kjo gjë.”
Megjithëse më shtrenjtë se vitet e kaluara, Destinacioni kryesor i qytetarëve të Kosovës mbetet Shqipëria.
“Në Shqipëri kemi për të shkuar javën që vjen. Çmimet janë rritur, por ia vlen me shkuar.”
“E kemi planifikuar nga jugu dhe këtë herë do të shkojmë në Vlorë ose Dhërmi.”
Si pasojë e rritjes së çmimeve, Operatorët Turistikë thonë se deri në 11 korrik kanë ardhur për të pushuar në Shqipëri 35% turistë më pak se sa para periudhës së pandemisë.
Po ashtu paketat turistike kushtojnë deri në 50% më shtrenjtë se sa vitin e kaluar.
