Vijon ‘gjuetia e shtrigave’ kundër Trump, Komisioni i 6 janarit: Ish-presidenti u mundua të intimidojë dëshmitarët
4 muaj përpara zgjedhjeve afatmesme, komisioni hetimor që kërkon të bëjë përgjegjës Donald Trumpin për mësymjen në Kongresin amerikan ka lëshuar akuza të tjera kundër ish-presidentit, të cilat ai i quan si gjueti shtrigash.
Ligjvënësit amerikanë akuzuan të martën ish presidentin Donald Trump për nxitjen e një turme të mbështetësve të tij për të sulmuar Kongresin më 6 janar të vitit të shkuar.
Nënkryetarja e komisionit hetimor tha se republikani është përpjekur të kontaktojë një dëshmitar që po rrëfente dëshmitë e tij në lidhje me sulmin e Kapitolit.
Ligjvënësja Liz Cheney nga Partia Republikane, një kundërshtare e ish-presidentit Trump u zotua se do ta merrte shumë seriozisht çdo përpjekje për të ndikuar te dëshmitë e personave që dalin përpara komisionit.
Anëtarët komisionit të përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve që po hetojnë sulmin thanë se zotit Trump i ishte thënë nga këshilltarët në administratën dhe fushatën e tij se ai kishte humbur zgjedhjet presidenciale të 2020 dhe se duhej të pranonte fitoren e Joe Bidenit, por ai zgjodhi të shpërfillte këshillat e tyre.
Komisioni i 6 janarit ka hedhur dritë mbi një takim të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa avokatët e ish-presidentit sugjeruan që ushtria të merrte nën kontroll makineritë e votimit.
Në seancën dëgjimore të së martës, paneli pretendoi se grupet e ekstremit të djathtë iu përgjigjën thirrjes së Donald Trump për të ardhur në Uashington.
Anëtarët e komisionit thanë se zoti Trump nxiti trazirat përmes refuzimit të tij për të pranuar se i humbi zgjedhjet.
Trump, i cili ka lënë të kuptohet se mund të kërkojë përsëri të garojë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024 mohon të ketë vepruar në mënyrë të jashtëligjshme dhe e quan komisionin hetimor një gjueti shtrigash.
Ai akuzon Partinë Demokratike se i vodhi zgjedhjet e 2020.
