Amerikanët kërkojnë të afrojnë Izraelin me sauditët, Biden tur në Lindjen e Mesme

Presidenti amerikan nisi këtë të mërkurë turin e tij katërditor në Lindjen e Mesme. Marrëveshja bërthamore me Iranin, kriza energjitike botërore, afrimi i Izraelit me Saudinë, lufta në Jemen dhe zgjidhja me dy shtete Izrael dhe Palestinë pritet të jenë disa nga temat që do të diskutohen me aleatët.

Presdenti amerikan Joe Biden ka mbërritur këtë të mërkurë në Izrael për të zhvilluar bisedime me aleatët për situatën në Lindjen e Mesme.

Sipas medieve izraelite, një nga pikat që do të diskutohet është fillimi i një partneriteti me amerikanët për strategji të fokusuara tek teknologjia.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Presidenti amerikan do të qëndrojë për katër ditë në Lindjen e Mesme. Në ditët në vijim ai pritet të ketë edhe një takim me liderin palestinez Mahmud Abas, ku do të kërkojë zgjidhjen me dy shtete mes Palestinës dhe Izraelit.  

Një pikë e rëndësishme strategjike sipas amerikanëve është që të afrojnë aleatët e tyre në Lindjen e Mesme, siç janë sauditët dhe izraelitët.

Diplomacia amerikane do të përdorë fuqinë e saj për të ndërtuar aleanca më të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, teksa kërkon që sauditët të prodhojnë më shumë naftë në këtë krizë globale energjitike.

Më pas, Bideni do të drejtohet për në Arabinë Saudite për të marrë pjesë edhe në samitin e liderëve të Gjirit, së bashku me liderët e Jordanisë, Egjiptit dhe Irakut.

Kjo vizitë e rëndësishme e Bidenit vjen në një kohë që lufta në Ukrainë ka sjellë diskutime të rëndësishme mbi strategjitë e reja të NATO-s dhe Amerikës, e ku një pikë e rëndësishme është edhe marrëveshja bërthamore me Iranin.