Zgjedhjet ne Britani, Truss shpall kandidaturën për kryeministre
Shefja e diplomacisë britanike ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet brenda konservatorëve pas dorëheqjes së Johnson. Liz Trus, e cila ka vlerësime pozitive brenda partisë ka thënë se që në ditën e parë do të shkurtojë taksat për britanikët.
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss iu bashkua të hënën zyrtarisht garës në Partinë Konservatore për të zëvendësuar kryeministrin në detyrë Boris Johnson.
46-vjeçarja është zotuar së fundmi që të ulë taksat për qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe për të vijuar të mbajë një qëndrim të ashpër kundër Rusisë së Vladimir Putinit.
Kryediplomatja ka mbajtur poste ministrore në disa departamente qeveritare, përfshirë tregtinë, drejtësinë dhe thesarin.
Rregullat për zgjedhjen e udhëheqësit të Partisë Konservatore, i cili do të bëhet rrjedhimisht edhe kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar pritet të bëhen publike zyrtarisht të hënën.
Aktualisht janë edhe të paktën dhjetë pretendentë që synojnë postin e kryeministrit britanik.
Megjithatë Liz Truss ka kryesuar vazhdimisht sondazhet e bëra nga ueb-faqja britanike, Conservative Home.
Në një reagim për gazetën prestigjioze britanike The Telegraph, Truss shkroi se do të niste me shkurtimin e taksave nga dita e parë që do të vinte në pushtet në mënyrë që të ndihmonte njerëzit të përballonin koston e jetesës, e cila është vështirësuar ndjeshëm edhe nga lufta në Ukrainë.
Në fjalimin e tij të dorëheqjes, Boris Johnson tha se priste që pasardhësi i tij të rishikonte politikat për uljen e taksave.
Johnson dha dorëheqjen të enjten e kaluar pasi Qeveria e tij u përfshi në një sërë skandalesh etike.
Ai do të qëndrojë në detyrë deri në vjeshtë, kohë kur pritet që të zgjidhet lideri i ri i konservatorëve që do të bëhet edhe kryeministër.
