Protesta në Shkup/Maqedonasit përplasen me shqiptarët

Protestat e opozitës për kundërshtimin e propozimit francez kanë çuar në një përplasje mes një grupi shqiptarësh dhe maqedonasve të partisë VMRO. Një person është arrestuar pasi qëlloi me armë zjarri, partia shqiptare e ka cilësuar incidentin si inskenim të opozitës.

Një person është arrestuar pasi qëlloi me armë zjarri në Çarshinë e Vjetër në Shkup pranë sheshit ‘Skënderbeu’ pas një përplasjeje mes një grupi shqiptarësh dhe protestuesve maqedonas të cilët kundërshtojnë të ashtuquajturin propozim francez.

Policia bën me dije se është arrestuar shtetasi me iniciale E.J., 40 vjeç i cili dyshohet të jetë me nënshtetësi shqiptare.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Lideri i opozitës, Hristjan Mickoski ka akuzuar 40-vjeçarin se kishte planifikuar ta vriste.

Partia shqiptare BDI e ka quajtur incidentin mes shqiptarëve dhe maqedonasve si të inskenuar nga VMRO-DPMNE.

Përmes një komunikate BDI thotë se i dënon incidentet në protestat antievropiane të nxitura nga elementët pro-rusë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë incidentin e inskenuar në sheshin Skënderbeu në Shkup.

Prej të paktën 5 ditësh opozita maqedonase ka mbushur sheshet e Shkupit për të kundërshtuar miratimin e propozimit të Parisit përmes të cilit do të hiqej vetoja bullgare dhe do t’i hapte Maqedonisë së Veriut rrugën e integrimit evropian dhe rrjedhimisht edhe Shqipërisë.

Opozita maqedonase pretendon se shteti do të humbte identitetin për shkak të pranimit të propozimit francez, të cilin qeveria e hedh poshtë.