Presidenca çeke braktis zgjerimin / Praga, asnjë fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE
Mosmiratimi i të ashtuquajturit propozim francez në Shkup ka detyruar presidencën çeke që sapo mori mandatin e Këshillit Evropian që të heqë nga agjenda zgjerimin e Ballkanit Perëndimor.
Ukraina, pavarësia energjetike, shtimi i kapaciteteve mbrojtëse ushtarake dhe digjitalizimi i industrisë, këto janë prioritetet për gjashtë muajt në vijim të prezantuara nga kreu i Presidencës çeke të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Petr Fiala, i sapozgjedhur në Pragë nuk përmendi në asnjë fjali perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor në fjalimin e tij 20 minutësh.
Edhe pse më herët u raportua se Praga zyrtare do të merrte në dorë punën e lënë nga Presidenca franceze e BE-së për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Debati i ndezur në Maqedoninë e Veriut lidhur me të ashtuquajturin propozim francez dhe mosmiratimin e tij ndërsa palët politike janë të përçara ka bërë që presidenca çeke e BE-së të mos e fusë në agjendën e saj të gjashtë muajve në vijim procesin e integrimit të rajonit tonë.
Në ditët e fundit, pas dështimit të marrjes së një date nga Këshilli Evropian në samitin BE-Ballkani Perëndimor në 23 dhe 24 qershor janë shtuar zërat nga zyrtarë evropianë se negociatat për Tiranën dhe Shkupin mund të hapen gjatë kësaj jave.
Situata është e paqartë në Shkup me protesta disaditore që janë përshkallëzuar deri në dhunë kundër institucioneve qeveritare nga partia më e madhe opozitare e krahut të djathtë VMRO-DPNE.
Forca politike e krahut të djathtë e ka quajtur miratimin e propozimit francez një humbje të identitetit maqedonas dhe i kanë bërë thirrje qeverisë ta refuzojë.
Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski tha të martën se propozimi i Parisit që do t’i jepte fund vetos bullgare do të diskutohet në Parlamentin maqedonas.
