Gati 9 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga pushtimi rus, thotë OKB

Gati 9 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga pushtimi i Vladimir Putin, ka thënë agjencia e OKB-së për refugjatët, teksa guvernatori i Donetsk u bëri thirrje civilëve që janë ende në rajon që të largohen.

Me rritjen e ofensivës së Rusisë në lindje të vendit, ka gjithnjë e më shumë thirrje nga autoritetet ukrainase që njerëzit të arratisen.

Agjencia e OKB-së për refugjatët njoftoi të mërkurën se 8.793 milionë njerëz kishin dalë nga Ukraina që nga 24 shkurti, ndërsa guvernatori i Donetskut, Pavlo Kyrylenko, u kërkoi 350,000 njerëzve të rajonit të largoheshin mes raporteve për vdekje dhe lëndime të reja.

Donetsk është provinca e fundit lindore e mbetur e Ukrainës pjesërisht nën kontrollin e Kievit. Raportet treguan të mërkurën se të paktën shtatë civilë ishin vrarë nga bombardimet ruse gjatë 24 orëve të fundit dhe 25 thuhet se ishin plagosur.