Itali, e kishte shndërruar dyqanin e tij në pikë tregtimi droge, prangoset shqiptari

Autoritetet financiare italiane kanë vënë në masë ndalimi me burg një emigrant shqiptar në Savona, sipërmarrës i një supermekate të vogël në qendër të qytetit.

Hetimet e skuadrës antidrogë kanë vërtetuar se shqiptari e kishte shndërruar dyqanin e tij në një pikë tregtimi lëndësh narkotike ku takonte klientët dhe i shiste dozat droge.

Operacioni i Financës së Savonës çoi në kapjen në flagrancë të një klienti që po blinte hashash nga shqiptari.

Pas kontrollit në këtë supermerkate si dhe në banesën e shqiptarit u gjetën 7 kg hashash e 700 gramë kokainë që sipas autoriteteve italiane do të sillnin një përfitim tregu prej 110 mijë euro.

Shqiptari iu sekuestruan dhe 50 mijë euro cash si dhe instrumente për konfeksionimin e dozave të drogës.

Kokaina ishte konfeksionuar në pako prej 50 gramë ndërsa hashashi në pako 25 e 100 gramshme.

Autoritetet italiane vazhdojnë hetimet për të zbardhur lidhjet e shqiptarit me furnizuesit e drogës si dhe me rrjetin e trafikantëve në Savona e në tërë provincën.