Von der lein paralajmëron: Duhet të jemi gati, BE të rishikojë planet emergjente për ndërprerjen e plotë të gazit rus
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi ditën e sotme se BE-ja duhet të bëjë plane emergjente për t'u përgatitur për një ndërprerje të plotë të gazit rus.
"Duhet të jemi gati, BE të rishikojë planet emergjente për ndërprerjen e gazit rus," tha ajo.
Bashkimi Europian ka vendosur tashmë sanksione ndaj Rusisë, duke përfshirë disa furnizime me energji, dhe po përpiqet të gjejë burime të tjera zëvendësuese për naftën dhe gazin.
Por zonja von der Leyen tha se blloku duhej të ishte gati për ndërprerjet shokuese që mund të vijnë nga Moska në muajt e ardhshëm.
“Është e qartë; Putini vazhdon të përdorë energjinë si armë. Kjo është arsyeja pse Komisioni po punon për një plan evropian të emergjencës. Duhet të sigurohemi që në rast të ndërprerjes së plotë, gazi të rrjedhë drejt vendit ku është më i nevojshëm. Ne duhet të sigurojmë solidaritetin evropian,” tha ajo.
Vendet e Bashkimit Evropian tashmë ranë dakord muajin e kaluar që të gjitha depozitat e gazit natyror në bllokun 27-vendesh duhet të mbushen deri në të paktën 80% të kapacitetit për dimrin e ardhshëm për të shmangur mungesat gjatë sezonit të ftohtë. Rregullorja e re thotë gjithashtu se magazinimi nëntokësor i gazit në tokën e BE-së do të duhet të mbushet me kapacitet 90% përpara dimrit 2023-2024.
