Megaoperacioni, prangosen 8 shqiptarë e 35 italianë, kapen 1 mln euro dhe mbi 90 kg drogë
8 shqiptarë e 35 italianë janë vënë nën pranga nga Policia Italiane, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, armëmbajtje e riciklim parash nga aktiviteti i paligjshëm.
Të arrestuarve u janë sekuestruar dhe rreth 1 milionë euro para cash e mbi 90 kg drogë.
Mega-operacioni i mëngjesit të sotëm është ekzekutuar nga Policia e Bolonjës e me urdhër të Prokurorisë së Bolonjës janë lëshuar 31 masa ndalimi me burg, 3 në arrest shtëpiak e 9 me detyrim paraqitje.
Hetimet e këtij operacioni kanë nisur më vitin 2019 pas një operacioni paraprak, i cili çoi në shkatërrimin e një bande grabitësish me bazë më lagjen Barca të Bolonjës.
Monitorimi i anëtarëve të kësaj bande çoi në zbulimin e këtij tjetër grupi që merrej me trafikun e lëndëve narkotike e i përbërë nga shtetas italianë e shqiptarë e që trafikonin kokainë, hashash e marijuanë.
Hetimet e operacionit u mbyllën në prill të 2021 e vazhduan me përgjime telefonike, telematike, video vëzhgime e lokalizime satelitore që dokumentuan aktivitetin kriminal në trafikun e drogës të 43 personave të vënë nën masë ndalimi.
Paratë e fituara nga trafiku i drogës të arrestuarit i depozitonin në disa llogari bankare nën emra të personave të tretë, të afërm të tyre, e disa të tjera përdornin strategjinë e basteve sportive e të lojërave të fatit për të justifikuar prejardhjen e parave e depozitimin në bankë.
Totalisht të 43 të ndaluarve u janë sekuestruar rreth 1 milionë euro cash.
Gjithashtu janë sekuestruar 70 kg marijuanë, 7 kg kokainë, 10 kg hashash, 9 pistoleta e një numër i madh fishekësh.
6 prej pistoletave rezultojnë të vjedhura në banesa të qytetarëve italianë e 3 të tjerat janë armë klandestine.


