Rriten tensionet me Rusinë, Letonia rivendos shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Letonia do të rivendosë shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Një gjë të tillë e lajmëroi ministri letonez i Mbrojtjes Artis Pabriks  të martën , kjo pas rritjes së tensioneve me Rusinë.

“Sistemi aktual ushtarak i Letonisë ka arritur kufirin e tij. Ndërkohë, ne nuk kemi asnjë arsye të mendojmë se Rusia do të ndryshojë sjelljen e saj”, u tha Pabriks gazetarëve.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Letonia e kishte hequr shërbimin e detyrueshëm para disa vitesh pasi u bashkua me aleancën e mbrojtjes së NATO-s. Që nga viti 2007, ushtria e anëtarit të BE-së përbëhet nga ushtarë të karrierës së bashku me vullnetarë të Gardës Kombëtare që shërbejnë në këmbësorinë me kohë të pjesshme gjatë fundjavave.

Vendi me më pak se dy milionë banorë, i cili kufizohet me Bjellorusinë dhe Rusinë, aktualisht ka vetëm 7,500 ushtarë aktivë dhe anëtarë të Gardës Kombëtare, të mbështetur nga 1,500 trupa të NATO-s.

Pabriks tha se shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të zbatohet për burrat dhe do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, me disa opsione të disponueshme për përmbushjen e kërkesës.

Gatis Priede, një ushtar i Gardës Kombëtare, e quajti lëvizjen "lajmin më të mirë" dhe tha se vendimi duhej të ishte marrë pasi Rusia aneksoi Krimenë në 2014.

“Kjo është gjëja e duhur , për të trajnuar më shumë rezervistë për ushtrinë tonë dhe për forcën e përgjithshme të NATO-s, e cila ende mungon në mënyrë kritike në rajonin e Evropës Veriore dhe Balltikut”, tha ai për AFP.

Pabriks njoftoi gjithashtu planet për të ndërtuar një bazë tjetër ushtarake pranë qytetit juglindor të Jekabpils, që ndodhet më afër kufirit rus sesa baza ekzistuese Adazi.