Alarmet ajrore mbulojnë pothuajse të gjithë Ukrainën, Rusia drejt mobilizimit të ekonomisë për luftë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se mbrëmë është shpallur një alarm ajror pothuajse në të gjithë Ukrainën, duke rritur ankthin e civilëve. Ndërkohë në Rusi, Parlamenti ka dhënë miratimin fillestar për masat që e vendosin ekonominë ruse në një bazë lufte.
Sloviansk, një qytet në Donetsk që është gjetur në vijën e frontit ndërsa forcat ruse përparojnë, është bërë fokusi i agresionit rus ditët e fundit. Ministria britanike e Mbrojtjes tha se beteja për qytetin do të jetë “gara e radhës kyçe” për Ukrainën.
Kryetari i bashkisë së qytetit u ka kërkuar civilëve që të evakuohen sa më shpejt që të munden ndërsa forcat ruse i afrohen qytetit. Ditën e djeshme u granatua një treg në qendër të qytetit, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën shtatë të tjerë.
Rusia e ka kthyer vëmendjen e saj për të kapur më shumë pjesë të rajonit Donetsk të Donbasit, pasi ka pushtuar tashmë provincën fqinje Luhansk. Donetsk tani po përjeton granatime të rënda, të njëjtën strategji që forcat ruse përdorën në Luhansk.
Aleatët çeçenë të Presidentit Vladimir Putin janë zotuar se do të vazhdojnë të luftojnë në Ukrainë, duke thënë se ata madje do të shkojnë përtej vendit, derisa presidenti t’i ndalojë ata.
