Arrestohet një polak për organizimin e vrasjes së gazetarit holandez
Policia në Holandë ka arrestuar një burrë të dyshuar për organizimin e vrasjes së reporterit holandez të krimit Peter R de Vries .
Shtetasi polak, 27 vjeç, u arrestua të hënën.
"Një i dyshuar u arrestua, një 27-vjeçar polak, për koordinimin e njerëzve që kryen vrasjen," tha prokurorja Brechtje van de Moosdijk.
Korrikun e kaluar de Vries vdiq në spital, nëntë ditë pasi u qëllua të paktën pesë herë në një pritë në Amsterdam.
Gazetari dhe komentatori i shquar investigativ u qëllua për vdekje më 7 korrik teksa po dilte nga një studio televizive pasi u shfaq në një emision.
Dy burra, një holandez, 22 vjeç dhe një shtetas polak, 36 vjeç, janë aktualisht në gjyq të akuzuar për vrasje.
Dyshja u arrestuan brenda disa orësh nga të shtënat në makinën e dyshuar të arratisjes në të cilën policia thotë se u gjet arma e dyshuar e vrasjes.
Të shtënat shkaktuan një zemërim të gjerë. Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel e quajti atë një "sulm kundër vlerave tona".
Kryeministri holandez Mark Rutte e përshkroi vrasjen e de Vries si "tronditëse dhe të pakuptueshme", ai tha se ishte një sulm ndaj një "gazetari të guximshëm" dhe lirisë së shtypit.