Në kërkim të 20 të humburve në malin Marmolada. Masivi i akullit u mori jetën 6 personave, 10 të tjerë u plagosën
Shkon në 20 numri i personave që rezultojnë të humbur e të shpallur në kërkim në vendtragjedinë e malit Marmolade në rajonin e Trentino Alto Adige ku shkëputja e një masivi akulli ka shkaktuar deri më tani të konfirmuar 6 viktima e 10 persona të plagosur.
Katër nga gjashtë viktimat janë identifikuar, tre janë shtetas italianë e një është alpinist Çekosllovak.
Në qytezën e Canazei është ngritur një qëndër operative që koordinon repartet e kërkimit të Ndihmës Alpine, Departamentit të Mbrojtes Civile e skuadrës së zjarrëfikësve.
Shiu i natës ka vështirësuar operacionet e kërkim shpëtimit e gjatë mëngjesit të sotëm përveç helikopterëve janë aktivizuar dhe dronet që prej disa orësh po kontrollojnë të gjithë anën e malit ku ndodhi tragjedia.
Familjarët e viktimave e të persoanve të shpallur në kërkim kanë mbërritur në qytezën Canazei ku pritet të mbërrij këtë paradite dhe Kryeministri italian Mario Draghi.
Ekspertët alpine informojnë se "shkëputja e masivit të akullit ka shkaktuar një kasaphanë të vërtetë e ka përfshirë nën të dy grupe alpinistësh."
Gjatë ditëve të fundit mali Marmolade ka regjistruar një temperaturë ngrohje rekord 10 gradë e që mendohet se është dhe shkaku kryesor i shkëputjes së akullit.
Ndërkohë Prokuroria e Trentos ka hapur një proces hetimor e po heton mbi çfarë ka ndodhur.
Tragjedia ndodhi rreth orës 13.45 të ditës së dielë 3 korrik 2022.
Skuadrat e alpinistëve po tentonin të ngjiteshin në majën e malit që ka një lartësi rreth 3343 metra.
Grupmali Marmolade është më i larti i Alpeve Dolomiti.

