Danimarkë/Dalin pamjet nga momenti i sulmit me tre të vdekur në qendrën tregtare. Flet dëshmitarja (Video)

Tre persona kanë mbetur të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur, tre prej të cilëve në gjendje kritike, nga sulmi me armë ditën e djeshme në një nga qendrat tregtare më të mëdha të Danimarkës.

Autori 22-vjeçari, i përshkruar si "një danez etnik", u arrestua dhe u akuzua për sulmin që shkaktoi panik në qendrën tregtare “Field” në jug të Kopenhagen-it.

Tre personat e vrarë janë një djalë dhe një vajzë daneze, të dy të moshës 17-vjeçare dhe një shtetas rus 47-vjeçar me banim në Danimarkë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Shefi i policisë së qytetit, Soeren Thomassen, tha se i dyshuari ishte i njohur për shërbimet e shëndetit mendor:

“I dyshuari ynë është gjithashtu i njohur në mesin e shërbimeve psikiatrike, përtej kësaj nuk dua të komentoj.”

"Viktimat dukej se ishin shënjestruar rastësisht dhe nuk kishte asgjë që të tregonte se ishte një akt terrori," shtoi ai.

Kryeministrja Mette Frederiksen tha se Danimarka kishte pësuar një sulm mizor.

Ajo tha se donte të inkurajonte danezët që të qëndrojnë së bashku dhe të mbështesin njëri-tjetrin në këtë kohë të vështirë.

"Kryeqyteti ynë i bukur dhe zakonisht kaq i sigurt u ndryshua në një sekondë," tha ajo.

Sulmi vdekjeprurës në qendrën tregtare ndodhi teksa Danimarka festoi organizimin e tre fazave të para të Tour de France për herë të parë.

I dyshuari kishte një pushkë dhe municion kur u arrestua, tha policia.

Ata nuk kanë asnjë indikacion nëse kishte të tjerë të përfshirë dhe u kërkuan pronarëve të dyqaneve që të ruanin çdo pamje të mbikëqyrjes video që mund të kishin.

Field's ka më shumë se 140 dyqane dhe restorante. Qendra tregtare shumëkatëshe është në periferi të Kopenhagen-it, pikërisht përballë një linje metroje që lidhet me qendrën e qytetit.

Dëshmitarët okularë folën për panik në mesin e blerësve teksa u dëgjuan të shtënat.

Njëra prej tyre, tha për mediat daneze:

"Papritmas dëgjuam të shtëna. Mendoj se ishin dhjetë të tilla dhe pastaj vrapuam nëpër qendrën tregtare dhe përfunduam në një tualet. U mblodhëm së bashku në tualetin e vogël, ishim rreth 11 persona."