Amnistia fiskale, Shehaj: E tmerrshme, nevojë e qeverisë për shkak të inkriminimit. Duhet të ishte bërë analizë

Nënkryetarja e LSI-së në Tiranë Brisida Shehaj, ka folur në lidhje me hartimin e projektligjit për amnistinë fiskale, ku të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë territorit do të mund të ligjërojnë deri në 2 milionë euro, pavarësisht sesi i kanë krijuar të ardhurat.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Shehaj hartimin e draft ligjit, për amnistinë e ka konsideruar nevojë e qeverisjes për shkak të inkriminimit.

Brisida Shehaj: Këta janë nevoja të kësaj qeverisje për shkak të inkriminimit që ajo ka pasur deri tashmë. Unë nuk shikoj asgjë të saktë në amnistinë fiskale. Unë nuk e di se si do i sjellin emigrantët, kur e dinë të gjithë që limiti në kufi është 10 mijë. Pra ky po u kërkon shqiptarëve të shkelin ligjet atje ku janë dhe të sjellin para në shkelje të ligjit. Këto nuk janë nisma serioze, janë halli në një moment të caktuar të kësaj qeverisje.

Sipas saj qeveria ka bërë një amnisti që është e tmerrshme dhe që nuk e ndihmon ekonominë dhe njerëzit.

Brisida Shehaj: Amnistia nuk është se e ndihmon shumë ekonominë, njerëzit , që të mësohen me atë kulturën e të paguarit të taksave. Ky ka bërë një amnisti që është e tmerrshme. Tatohet ai që ka bërë evazion me 7%, dhe trajtohet një pronar supermarketi me 23%.

Në lidhje me amnistinë dhe se si do vijnë paratë në Shqipëri, ajo tha se duhet të ishte bërë një analizë.

Brisida Shehaj: Nuk bëhet fjalë fare për paratë e emigrantëve. Duhet të ishte bërë  një analizë, sa është paraja e emigrantëve që ka ardhur. Sa janë këto asetet. Sa shpi emigrantësh janë të blera dhe nuk po legalizohet dot.