Një polic dhe dy persona të arrestuar për zhvatje, morën rreth një milion euro

Policia maqedonase arrestoi të enjten tre persona, mes tyre një punonjës policie me akuzën e zhvatjes. Në pranga ranë shtetasit S.D 61 vjeç, N.K 37 vjeç dhe policin M.R 43 vjeç, të gjithë nga Shkupi.

Pas dorëzimit të parave në shumën prej 3000 euro nga i dëmtuari, tre personave iu është hequr liria, thotë Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut  duke shtuar se për shkak të një borxhi të vjetër në perioudha të ndryshme i kanë zhvatur "viktimës" rreth një milion euro.

Në njoftim thuhet se S.D, për shkak të një borxhi të mëparshëm ndaj të dëmtuarit në vlerë prej 63.500 euro gjatë vitit 2004, deri në vitin 2019, i ka ngarkuar me kërcënime rreth 440.000 euro. 

Në periudhën nga viti 2019 deri më 30 qershor të këtij viti, S.D., së bashku me N.K., në emër të M.R., punonjës policie, me kërcënime për jetën, i kanë zhvatur mjete shtesë në shumën prej 560.000 euro me afat pagese deri dje. 

Në të njëjtën kohë, duke marrë parasysh shumën, viktima ka rënë dakord me zhvatësit që tu dorëzojë 5000 deri në 10000 euro në javë, deri në pagesën përfundimtare prej 560000 euro.

Pas masave dhe veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët policorë, dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike Shkup, pas dorëzimit të parave në shumën prej 3.000 euro nga i dëmtuari, të tre personave u është hequr liria. 

Ata janë ndaluar në stacionin policor dhe sot pas procedurës së shpejtë kundër tyre është parashtruar kallëzim penal dhe janë dërguar në Prokurorinë Publike kompetente.