Forcat ruse tërhiqen nga Ishulli i Gjarpërinjëve. Ukraina e sheh si dështim, Rusia si një gjest "i mirë"
Forcat ruse janë larguar nga ishulli i gjarpërinjëve në Detin e Zi, thanë Forcat e Armatosura të Ukrainës sot, pasi kryen atë që ata thanë se ishte një operacion "i suksesshëm".
Të hënën, ushtria ukrainase tha se goditi një sistem të dytë raketor në ishull, si dhe shumë personelë rus në përpjekjet e tyre për t'i mbajtur ata larg.
Në një postim të shkurtër, Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se “armiku evakuoi me ngut mbetjet e garnizonit në dy skafë dhe ndoshta u largua nga ishulli”.
Andriy Yermak, Shefi i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, tha në një postim në Telegram se forcat e armatosura të Ukrainës kishin "kryer një operacion të jashtëzakonshëm" gjatë natës.
Megjithatë, Rusia dha një tregim paksa të ndryshëm të ngjarjeve në ishull.
Gjenerali i Forcave të Armatosura Ruse dhe zëdhënësi i ushtrisë ruse, Igor Konashenkov tha në një konferencë se forcat ruse u larguan nga ishulli "si një gjest vullneti të mirë".
Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Federatës Ruse përfunduan përmbushjen e detyrave të caktuara në ishullin e Gjarpërinjve dhe tërhoqën garnizonin që kishte vepruar atje.
Konashenkov dekjlaroi se largimi i trupave ruse duhet të lejojë një lehtësim për kalimin e drithit.
"Kjo zgjidhje do të parandalojë Kievin të spekulojë mbi një krizë të afërt ushqimore duke përmendur pamundësinë për të eksportuar drithë për shkak të kontrollit total të pjesës veriperëndimore të Detit të Zi nga Rusia,” tha ai.