Rusia kalon “nën varësi” kineze

Tashmë nuk është më Arabia Saudite eksportuesi kryesor i naftës për Kinën, po është fqinji i vet Rusia. Gjiganti aziatik, që me nisjen e luftës në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve perëndimore, është kthyer në blerësin më të madh të naftës ruse.

Sanksionet e forta perëndimore ndaj Rusisë, kanë sjellë që ajo të trokasë në dyer të tjera për të kompensuar humbjet miliarda dollarëshe për ekonominë e saj.

E bazuar kryesisht në portofolin e burimeve natyrore, kryesish gaz, naftë dhe plehra kimike, Rusia ka humbur një nga blerësit e saj të luksit që ishin vendet evropiane. Por kjo situatë është shfrytëzuar menjëherë nga gjiganti i madh aziatik, Kina.

Fqinji i rusëve është kthyer në blerësin më të madh të naftës ruse. Importet kineze të naftës nga Rusia në maj u rritën me më shumë se gjysmën e vlerës së tyre, krahasuar me një vit më pare.

Të dhënat e Administratës Doganore Kineze treguan se ekonomia e dytë më e madhe në botë importoi mbi 8.4 milionë tonë naftë ruse, rreth 55 për qind më shumë se në maj të 2021-shit. Më herët ka qenë Arabia Saudite eksportuesi kryesor i naftës për në Kinë, por ngjan se vendin e parë e ka marrë Rusia.

Dy gjigantët aziatikë janë duke ndërtuar një aleancë strategjike me njëri – tjetrin në fusha të ndryshme. Më herët, nuk kanë munguar as stërvitjet e përbashkëta ushtarake.

Vlen të theksohet se Kina është një ekonomi gjigante me potencial të madh, ndërsa Rusia ka mundësi për t’i përmbushur nevojat energjitike të fqinjit, por pa u kthyer në një konkurrent të fortë të gjigantit aziatik. 

Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu Putin kanë zhvilluar takime bilaterale ndërsa Kina, luftën në Ukrainë, nuk ka pranuar të dënojë publikisht si pushtim.