Assange drejt ekstradimit në SHBA, do të përballet me 18 akuza penale

Sekretarja e Brendshme britanike Priti Patel ka dhënë “OK” për ekstradimin e themeluesit të “WikiLeaks”, Julian Assange në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Assange, që nga shumë aktivistë anekënd botës cilësohet si heroi anti-establishmet, do të përballet me 18 akuza penale përtej oqeanit, në SHBA.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Saga e tij e gjatë e proceseve gjyqësore është afër përfundimit. Amerikanët e kërkojnë atë që ta gjykojnë në SHBA nën akuzat e spiunazhit, por Assange ka kërkuar mbrojtje duke thënë se ka bërë publike vetëm keqbërjet e qeverisë amerikane.

Botimi nga faqja “WikiLeaks” i një numri të madh të dhënash konfidenciale të Pentagonit dhe kabllogrameve diplomatike, sipas Uashingtonit, ka vënë në rrezik jetë njerëzish. Mbështetës të shumtë të tij nga shoqëria civile thonë se ai po sumohet politikisht sepse mbron fjalën e lirë.

Autoritetet britanike kanë njoftuar se ekstradimi i tij u miratua këtë të premte, por Assange mund ta apelojë vendimin. “WikiLeaks” ka njoftuar se vendimi do të apelohet në Gjykatën e Lartë britanike.

Më herët, një gjykatës britanik vendosi që Assange të mos deportohej, duke thënë se problemet e tij të shëndetit mendor nënkuptonin se rrezikonte vetëvrasjen nëse dënohej dhe mbahej në një burg të sigurisë maksimale.

Amerikanët paraqitën menjëherë një paketë garancish, duke thënë se ai mund të transferohej në Australi për të vuajtur dënimin.

Për rastin ka reaguar edhe një bilbilfryrës tjetër i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, Edward Snowden.

Ai nxorri në publik dosje sekrete të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë ndërsa ka përfituar azil politik në Rusi. Snowden shkoi se përkushtimi i qeverisë britanike dhe asaj amerikane ndaj të drejtave të njeriut është në rënie.