Republika Domenikane/ Ministri i Mjedisit vritet në zyrë nga miku i ngushtë (Video)
Ministri i Mjedisit të Republikës Domenikane Orlando Jorge Mera u qëllua me armë zjarri dhe u vra në zyrë nga miku i tij i ngushtë mëngjesin e së hënës.
"Nga informacionet e deritanishme dimë që në orët e para të mëngjesit është vrarë në zyrën e tij pas një sulmi me armë," thuhet në deklaratën e zyrës së presidentit Luis Abinader.
Në deklaratën e tij bëhet me dije se vrasësi i ministrit Miguel Cruz njihet si mik i viktimës. Cruz është arrestuar nga policia dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa policia po heton për motivet e vrasjes.
Një reagim për vrasjen e ministrit ka pasur dhe nga Ministria e Mjedisist dhe Burimeve Natyrore:
“Në Ministrinë e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore jemi të tronditur nga situata e paraqitur mëngjesin e së hënës. Deri më tani nuk kemi asnjë detaj për situatën e ndodhur në ambientet e ministrisë,” shkruhet në llogarinë e saj në Twitter.
Burime nga Ministria të cituara nga gazeta “Acento” kanë bërë të ditur se në zyrë janë dëgjuar gjithsej gjashtë të shtëna dhe se sulmuesi ka shpëtuar pasi ka qëlluar të shtënat. Megjithatë, raportet e mediave tregojnë se i dyshuari nuk është larguar nga objekti i Ministrisë.
Nga të shtënat dyshohet se janë plagosur edhe persona të tjerë. Gjatë orëve të mëngjesit, njerëzit raportuan se kishin parë disa ambulanca dhe anëtarë të SWAT që mbërrinin në zonë.
Orlando Jorge Mera, 56 vjeç, ishte djali i ish-presidentit Salvador Jorge Blanco dhe kishte qenë në detyrë që kur presidenti Luis Abinader erdhi në pushtet në gusht 2020.
Ai ishte një avokat dhe anëtar themelues i Partisë Revolucionare Moderne, raporton BBC.
Ndiqni momentin kur autori i vrasjes nxirret nga Gjykata