Lavrov: Anulimi i vizitës në Serbi, i pashembullt
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se anulimi i vizitës së tij në Serbi, ka qenë i pashembullt.
Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media, pasi vendet afër Serbisë - Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi - kanë mbyllur hapësirat ajrore për aeroplanin që planifikohej të dërgonte kryediplomatin rus të hënën në Beograd.
Lavrov ka thënë se homologu i tij serb, Nikolla Sellakoviq është ftuar në Moskë, dhe shpreson që udhëtimi i tij nuk do të pengohet.
Rusia ka fajësuar Perëndimin pasi Lavrov ka anuluar vizitën në Serbi.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka konsideruar vendimin “një tjetër kanal të mbyllur të komunikimit”, në disa komente që janë përcjellë nga agjencitë ruse të lajmeve.
Kremlini ka thënë të hënën se mbyllja e hapësirës ajrore ka qenë “veprim armiqësor”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve se një veprim i tillë mund të ndryshojë orarin e takimeve të nivelit të lartë diplomatik.
Megjithatë, Peskov ka thënë se kjo gjë nuk do ta pengojë Moskën nga mbajtja e kontakteve me shtetet mike, raporton REL.
