Bombardohet Kievi si sinjal për amerikanët

Kjo fundjavë ka qenë e nxehtë në luftën në Ukrainë, pasi rusët kanë goditur artilerinë e dërguar nga aleatët e NATO-s. Ka qenë vetë Putini që kishte një mesazh për amerikanët, ku i tha se dërgimi i sistemeve raketore në Ukrainë do të ishte gabim dhe ka synim veçse të zgjasë luftën.

Rusët kanë bombarduar këtë fundjavë Kievin, kryeqytetin ukrainas.

Në fokus të raketave ruse ishin tanket që u janë dhuruar ushtarakëve ukrainas nga vende perëndimore. Më herët ka qenë vetë presidenti Vladimir Putin që paralajmëroi se çdo dërgesë e sistemeve raketore me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, do ta shtynte Moskën të godiste "objekte që ende nuk i kemi goditur".

Në një intervistë televizive të dielën, Putin sulmoi dërgesat perëndimore të armëve në Ukrainë, duke thënë se ato synojnë të zgjasin konfliktin. "E gjithë kjo zhurmë rreth dërgesave shtesë të armëve, për mendimin tim, ka vetëm një qëllim: të zvarritet konflikti i armatosur sa më shumë që të jetë e mundur," tha Putin.

Kanë qenë amerikanët, por edhe vende të tjera të BE-së që kanë dakordësuar dërgimin e armatimit të rëndë në Ukrainë. Sistemet raketore amerikane me rreze të mesme e të gjatë veprimi, sipas analistëve ushtarakë, mund ta ndryshojnë gjendjen e luftës në terren. Kjo ka sjellë edhe ragimin e fort rus.

Forcat ruse goditën këtë të dielë tanke, objekte hekurudhore dhe infrastrukturë civile e ushtarake në Kiev. Gjithashtu, autoritetet ukrainase njoftuan se u godit edhe një uzinë bërthamore 220 milje në jug të Kievit.

Në Lindje të Ukrainës ka luftime intensive. SeverDontesku është ndarë përgjysmë tashmë mes ukrainasve dhe rusëve. Kundërsulmi ukrainas këtë fundjavë ka rezultuar i suksesshëm.

Lideri i vetëm evropian që nuk ka qenë në Kiev si shumë homologë të tij është presidenti francez Emanuel Macron. Ai reagoi më herët duke kërkuar që për t’i lënë hapësirë diplomacisë. Ka reaguar menjëherë ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba . “Thirrjet për të shmangur poshtërimin e Rusisë mund të poshtërojnë vetëm Francën dhe çdo vend tjetër që do ta bënte atë”, tha ai.