Ora News siguron videon, momenti kur grabitësit futen brenda bankës në Koplik, marrin paratë e largohen me"Golf 3"
Të maskuar dhe të armatosur, ata dalin nga makina e tyre me xhama të zinj dhe neutralizojnë të parin punonjësin e sigurisë së bankës, i cili edhe pse në raportin 1 me tre, përpiqet të bëjë rezistencë. Ky është momenti i mësymjes së tre grabitësve, në bankën e nivelit të dytë në Koplik futet brenda filialit.
Dy të parët futen brenda filialit dhe nën kërcënimin e armëve marrin kontrollin e ambientit duke shtrirë përtokë personat që ndodhen brenda, i treti futet brenda bashkë me punonjësin e sigurisë, të cilit prangat i mbeten në brez pasi nuk ka rrugë tjetër veç dorëzimit.
Të tre agresorët janë identifikuar nga policia e Shkodrës si Bekim Gurraj, Armir dhe Admir Shabaj. Ndërsa dy prej tyre ruajnë deren e bankës dhe personat brenda, i treti mbush çantën me para dhe në fund largohen sërish me makinën e parkuar në derë të bankës.
Aty nderkohë, shfaqet dhe një makinë e sigurisë private, e parkuar përballë asaj të grabitësve, por që nuk ndërhyn, duke lënë autorët të largohen me misionin e kryer pa dëme në njerëz. Gjithçka është fiksuar nga kamerat e sigurisë brenda dhe jashtë bankës.
Për dokumentimin e kësaj ngjarjeje drejtori i policisë së Shkodrës Hamdi Fjore së bashku me prokurorin e çështjes Gezim Spahiu kanë bërë publik edhe detajet se si është arritur në kapjen e 3 personave të dyshuar.
Gjatë kontrollit të banesave të personave të dyshuar policia ka sekuestruar radio marrëse-dhënëse si të Policisë, bluzë dhe kapele si të Policisë.
“Gjatë operacionit, nga kontrolli i banesave të shtetasve të lartpërmendur, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, konkretisht: Në banesën e shtetasit Bekim Gurraj u gjetën dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë, bluzë dhe kapele si të Policisë dhe disa veshje të përdorura nga ky person disa ditën para ngjarjes, kur ka studiuar ambientin e jashtëm të filialit, me qëllim realizimin e vjedhjes.”
Por gjatë hetimeve për zbulimin e ngjarjes policia ka zgjeruar edhe rrethin e bashkëpunëtorëve ku me urdhër të gjykatës së Shkodrës është kryer kontrolle edhe në banesën e shtetasve të tjerë, miq të ngushte të autorëve të grabitjes.
“Po në vijim të operacionit për kontrollin në në banesat e autorizuara nga Gjykata, rezultoi se gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Albin Shabaj, i cili ka lidhje shoqërore me autorët e dyshuar të grabitjes së bankës, u gjetën dhe u sekuestruan 9 kilogramë kanabis. Për këtë u arrestuan në flagrancë vëllezërit Albin Shabaj dhe Altin Shabaj, si dhe babai i tyre, Ermir Shabaj, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.”
Kontrollet zbuluan në së Koplik kultivohej kanabis sativa në ambiente të brendshme.
“Ndërsa gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ramiz Nikdukaj, 64 vjeç, banues në Koplik, u zbulua një ambient i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike nëpërmjet llambave. Në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan rreth 22 kilogramë kanabis sativa, 455 bimë narkotike të kultivuara në ambientin me llamba, si dhe 245 bimë të tjera narkotike të kultivuara në oborrin përreth banesës së këtij shtetasi.”
Në këtë operacion policia e Shkodrës ka arrestuar 9 shtetas, procedohen penalisht 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.
