Zelenski: Rusia luftohet me sanksione, masat ndaj Moskës duhet të jenë maksimale

Presidenti ukrainas në adresimin e tij në Forumin Ekonomik të Davosit bëri thirrje për sanksione maksimale ndaj Rusisë, si e vetmja armë për të luftuar makineritë ushtarake të Putinit. Ai kërkoi edhe miliarda dollarë për të rindërtuar vendin.

Presidenti Zelenski bëri thirrje për sanksione maksimale gjatë një adresimi virtual në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit.

Ai tha se sanksionet duhet të shkojnë më tej për të ndaluar agresionin e Rusisë, duke përfshirë një embargo të naftës, duke bllokuar të gjitha bankat e saj dhe duke ndërprerë plotësisht tregtinë me Rusinë.

Zelenski: Kështu duhet të jenë sanksionet, ato duhet të jenë maksimale, në mënyrë që Rusia dhe çdo agresor tjetër i mundshëm që dëshiron të zhvillojë një luftë brutale kundër fqinjit të saj, t’i dijë qartë pasojat e menjëhershme të veprimeve të tyre. Është një precedent që duhet të funksionojë për dekadat e ardhshme. 

Kreu i shtetit ukrainas bëri thirrje edhe për tërheqjen e plotë të kompanive të huaja nga Rusia dhe se Ukraina ka nevojë për të paktën 5 miliardë dollarë financim në muaj.

Zelenski: Ne kemi më shumë se gjysmë trilion dollarë humbje, dhjetëra mijëra objekte u shkatërruan. Ne kemi nevojë të rindërtojmë qytete dhe industri të tëra. Ne do të na nevojiteshin 5 miliardë dollarë në muaj.

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara ra dakord që të siguronte një ndihmë prej 19.8 miliardë dollarësh ndihmë ekonomike për Ukrainën.

Zelenski u shpreh se nëse Ukraina do të kishte marrë 100% të nevojave që në shkurt, në lidhje me armët, financimin, mbështetjen politike dhe sanksionet kundër Rusisë, dhjetëra mijëra jetë do të ishin shpëtuar.