‘SHBA do e mbrojë Tajvanin me jetë’ Biden: Futemi në luftë me Kinën, nëse sulmon ishullin
Presidenti Biden ka kërcënuar hapur Kinën nga Japonia ku ndodhet për një vizitë zyrtare. Demokrati thotë se nëse Kina tenton të marrë Tajvanin me forcë, Shtetet e Bashkuara do të përfshihen në konflikt të armatosur të drejtpërdrejtë.
Nga Japonia, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, presidenti Biden është zotuar që ta mbrojë Tajvanin ushtarakisht nga çdo kërcënim që i kanoset nga shteti kinez.
Presidenti amerikan tha të hënën se Uashingtoni është i gatshëm të përdorë forcën ushtarake për të mbrojtur Tajvanin.
Biden: Ne do të përdorim forcën ndaj Kinës nëse tenton të marrë ishullin ushtarakisht. Ky është një angazhim që ne kemi marrë. Kina nuk ka juridiksion për të hyrë dhe për të përdorur forcën për të pushtuar Tajvanin. Ideja se kombi ishull mund të merret me forcë nuk është e përshtatshme.
Tajvani kohët e fundit ka akuzuar Kinën për shkelje të vazhdueshme të zonës së saj të mbrojtjes.
Në fillim të majit, shteti ishull raportoi se bombarduesit e Kinës me aftësi bërthamore hynë në zonë.
Pekini i konsideron autoritetet tajvaneze si separatistë, duke këmbëngulur se ishulli është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës.
Udhëheqësi amerikan është në turin e tij të par zyrtar në Azi që kur u zgjodh president.
Kjo është hera e parë në shekullin e 21-të, që një president amerikan nuk bën një ndalesë në Kinë.
Biden është planifikuar të takohet me krerët e Japonisë, Indisë dhe Australisë të martën në kuadër të samitit të Dialogut Katërpalësh të Sigurisë.
