Çmontohet banda e trafikut të drogës në Itali, mes 30 të arrestuarve dhe 1 shqiptar. Sekuestrohen 58 kg hashash

Policia italiane ka çmontuar një bandë të trafikut të drogës në Itali.

Mediat italiane bëjnë me dije se në pranga kanë rënë  30 persona, ku 29 janë italianë dhe një shqiptar identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.

Banda e cila akuzohet për trafik droge, grabitje, vrasje dhe gjobvënie, drejtohej nga një 64-vjeçar me origjinë siçiliane.

Arrestimi i tyre u bë në provinca të ndryshme të Lombardisë, pas urdhrit të lëshuar nga gjykata.

Që prej vitit 2017,  kur nisën hetimet, deri në dhjetor 2021, u sekuestruan 58 kilogramë hashash dhe kokainë, katër pistoleta të kalibrave të ndryshëm dhe një automatik Skorpion me silenciator.