Kritikat për Srebrenicën, Rama publikon deklaratën e ambasadorit Hoxha në Këshillin e Sigurimit
Kryeministri Edi Rama ka vijuar replikat në distancë lidhur me gjenocin serb në Srebrenicë në përgjigjet të kritikave pas rrëzimit të rezolutës së demokratëve në Kuvend.
Ai ka shpërndarë një video të deklaratës së ambasadorit shqiptar Ferit Hoxha në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dy ditë më parë, 11 maj 2022.
"Kjo video është për ata që akoma budallallepsen nga shejtanbudallallëqet e një të damkosuri botërisht si Katrani me Bojë i Shqipërisë. Ja si ka folur Shqipëria më 11 maj 2022 për Srebrenicën, mu në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara" shkruan Rama.
Ambasadori Ferit Hoxha në Këshillin e Sigurimit: Ne jemi veçanërisht të shqetësuar nga vazhdimi i retorikës politike të mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes me sharje etnike. Nxitja e ndasive midis grupeve etnike në Bosnje për lojëra politike mban firmën e Dodik dhe mohimi i përsëritur publik i gjenocidit nga ana e tij është thelbësor në përpjekjet e tij. T’i referohesh gjenocidit si “një mit i sajuar” apo si “mashtrimi më i madh i shekullit të 20-të”, në një mohim deluziv është fyerje ndaj më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Srebrenicë. Nënshtrimi ndaj nacionalizmit dhe lavdërimi i kriminelëve të dënuar të luftës nuk është thjesht dhe vetëm një provokim. Çdo hap i gabuar në Bosnje-Hercegovinë rrezikon të prekë rajonin e gjerë. Prandaj, nuk është për t'u habitur që një sjellje e tillë e papranueshme u sanksionua me të drejtë dhe ne mirëpresim veprimet e ndërmarra nga SHBA dhe Britania e Madhe kundër Dodikut për përpjekjet e tij të vazhdueshme dhe të qëllimshme për të minuar funksionimin e shtetit dhe paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë.