Rama në Hagë për Thaçin, kreu i PDK: U takofshi sa më shpejt nën diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka falenderuar kryeministrin Edi Rama për vizitën që i bëri në Hagë ish-presidentit Hashim Thaçi.
"Faleminderit nga zemra Kryeministrit Edi Rama për kujdesin vëllazëror që po tregon ndaj Kosovës. Sot, me vizitën e tij në Hagë, te Presidenti Hashim Thaçi, ai u kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme – siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij".
Në një postim në facebook, Krasniqi thotë se vizita e Ramës në Hagë është nderim i lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare e të historisë më kuptimplotë të popullit shqiptar, luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtën e të cilave djemtë e saj po e bëjnë edhe një betejë.
"Duke i kujtuar fjalët e Presidentit Thaçi, në letrën e tij për ju, z. Rama, shpresoj që sa më parë të takoheni duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën" përfundoi ai.
