Boris Johnson thotë se lufta në Ukrainë mund të zgjasë deri në fund të vitit 2023
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, e përshkroi sot si "realiste" mundësinë që lufta në Ukrainë të zgjasë deri në fund të vitit 2023 për shkak të vendosmërisë së Rusisë për të vazhduar sulmin e saj "të tmerrshëm".
I pyetur në një konferencë shtypi në Nju Delhi për afat të tillë të cituar nga burimet perëndimore dhe skenarin e mundshëm të një fitoreje ruse, lideri konservator u përgjigj: "Është një mundësi realiste, po, sigurisht".
"Putini ka një ushtri të madhe, ai bëri një gabim katastrofik dhe e vetmja mundësi që ka tani është të vazhdojë të përdorë metodën e tij të tmerrshme të bazuar në artileri për të tentuar të shtypë ukrainasit," shtoi ai në fund të vizitës së tij dy ditore në Indi me qëllim forcimin e bashkëpunimit të tyre dypalësh.
Sipas Boris Johnson, i cili vlerësoi rezistencën ukrainase, një negocim "realist" që synon t'i japë fund konfliktit "nuk duket i mundur për momentin".
