Kërcimtarët ukrainas gjejnë ngushëllim në skenën amerikane

Kërcimtarët ukrainas që ikën nga bombardimet në Kiev, tani kanë gjetur strehë ngushëllimi në skenën amerikane. Çdo ditë, me buzëqeshje ata ndezin shfaqjen së bashku me xhonglerët dhe kllounët në një cirk amerikan. Larg konfliktit në Ukrainë, ata flasin për luftën ku kanë lënë pas të dashurit e tyre.

Në skenë, ata kërcejnë dhe kryejnë akrobaci me buzëqeshje ndërsa jashtë saj, flasin në akth në telefon me familjarët e tyre në Ukrainë. Kërcimtaret Anna dhe Olga kanë gjetur një ndjenjë qetësie duke performuar në një cirk pranë Nju Jorkut, por ende po jetojnë luftën nga e cila ikën mijëra milje larg.

"Kam kaluar një muaj pa gjumë. Nuk mund të dilnim për të blerë ushqime, ishim të stresuar dhe të tronditur gjatë gjithë kohës. Ishte e frikshme," kujton Anna Starykh, e cila u largua nga Ukraina pas pushtimit rus në shkurt.

Tani 21-vjeçarja po performon me cirkun “Flip” në periferi të qytetit të Nju Jorkut. Më shumë se 4500 milje larg nga Kievi, në një parking pranë brigjeve të lumit Hudson, Starykh dhe miqtë e saj përgatiten të performojnë me kolegë nga e gjithë Evropa dhe Amerika e Jugut. Skena është bërë streha e tyre.

"Puna me të vërtetë na ndihmon të qetësohemi dhe të mendojmë pozitivisht," tha ajo. Megjithatë, shqetësimi i tyre për anëtarët e familjes së tyre në shtëpi është i dukshëm.

"Nuk e di si do jenë ditën tjetër, javën tjetër, muajin tjetër. Qaj çdo ditë," thotë 22-vjeçarja Olga Rezekina, e cila gjithashtu u largua nga Ukraina pas fillimit të pushtimit.

Kërcimtarët, të gjithë janë të diplomuar në Teatrin e Cirkut “Bingo”, një akademi cirku në Ukrainë. Rezekina dhe Starykh u bashkuan me Flip për të zëvendësuar dy nga kolegët meshkuj të Savych, të cilët u mobilizuan për të luftuar dhe qëndruan në Ukrainë.