Përleshje të reja në Jerusalem

Për të paktën një muaj, forcat izraelite dhe ato palestineze vijojnë përleshjet mes tyre. Të premten policia izraelite ka hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve të Palestinës, të cilët iu përgjigjën me gurë.

Përleshje të reja janë regjistruar të premten mes policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalem.

Policia izraelite hodhi gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj të rinjve palestinezë, të cilët hidhnin gurë kundër tyre.

Përplasjet vijnë pas një muaji të tensionuar e të dhunshëm ndërsa festivali hebre i Pashkës përputhjet me muajin e Ramazanit për besimtarët myslimanë.

Dhuna ka ngjallur frikën ndërkombëtare për një përshkallëzim edhe më të madh, një vit pasi trazira të ngjashme çuan në një luftë 11-ditore.

Rreth orës 4:00 të mëngjesit, sipas policisë izraelite, palestinezët filluan të gjuanin gurë drejt Murit Perëndimor, i konsideruar si vendi më i shenjtë për hebrenjtë ku mund të luten.

Javën e kaluar, më shumë se 200 persona, kryesisht palestinezë, janë plagosur në përleshjet pranë kompleksit Al-Aksa në lindje të Jerusalemit, territor i aneksuar nga Izraeli.

Kjo çoi hedhjen e raketave nga grupet e armatosura palestineze që ndodhen në Rripin e Gazës, në drejtim të Izraelit.

Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore drejt Gazës.

Përleshjet e së premtes vijnë pas gati një muaji gjakderdhje të përqendruar në kompleksin Al-Aksa, i njohur për hebrenjtë si Mali i Tempullit.

Palestinezët janë zemëruar nga vizitat e përsëritura të hebrenjve izraelitë në vend, i cili konsiderohet vendi i tretë më i shenjtë në Islam dhe më i shenjti në judaizëm.