Berisha në “betejë” edhe me Yuri Kim e Alibeajn: Nuk ulemi me PS-në për zgjedhjen e presidentit

Përballja mes Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeaj, nga selia blu do të zhvendoset në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Gjyqtarja Blerina Muça ka pranuar ankimimi e Alibeajt i cili kundërshton regjistrimin e statutit të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit të organizuar prej komisionit të rithemelimit.

Publikimin e këtij vendimi, Sali Berisha nga selia blu e parapriu duke hedhur dyshime për ndërhyrje të ambasadores amerikane Yuri Kim në këtë proces gjyqësor.

Berisha: Po ashtu, unë publikisht para mediave shpreh keqardhjen dhe denoncimin tim për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor. Javën e kaluar thash se kam informacione dhe burime. Ndërsa se fundmi guvernator ja bën takime për procesin gjyqësor që  nuk ka bazë ligjore sepse nuk është palë ajo që është palë. Këtu i bëj thirrje qeverisë së SHBA-së që të ndalojnë ndërhyrjet e përfaqësuese së saj në proceset gjyqësore. Kam tre burime që më informojnë për ndërhyrje në gjykatë.

Përgjigjen ndaj Berishës ambasadorja amerikane e ka dhënë përmes Tëiterit.

Yuri Kim: Nëse “ndërhyrja në procesin gjyqësor” nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve, duke e bërë të qartë SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë PO.

Në listën e kundërshtarëve të tij, përveç diplomates amerikane, kryeministrit Edi Rama, Sali Berisha ka futur edhe ish-ministrin e tij Enkelejd Alibeaj.

Sali Berisha: Në një kurth banal të ulët Edi Rama për të më privuar nga e drejta e replikës për diskutimin e tij keqpërdori Enkelejd Alibeaj për të dytën herë në mënyrë të pamëshirshme. Edi Rama foli dhe gjatë fjalimit të tij lakoi emrin tij dhjetëra herë. E drejta e replikës ushtrohet menjëherë pas folësit. Në këtë kontekst vetëkuptohej që fjala më takonte mua, por ata nxorën me vrap veglën e tyre, në një akt të turpshëm që quhet opozitar në mënyrë që unë të mos flas. Enkelejd Aliebaj e kuptoi apo nuk e kuptoi aktin që kreu është punë e tij. Ndërkohë që Taulant Balla shkoi deri aty sa të kërkonte 5 minuta pushim.

Për këtë arsye ish kryeministri refuzon që të ulet në tryezë me PS, pasi sipas tij është thjesht një farsë. Madje ai mendon se Edi Rama ka vendosur të bëjë Presidente shefen e kabinetit të tij.

Berisha: Kongresi i PS-së ishte i ngjashëm me një kongres të Cosa Nostra, unë mund të them se procesi i zgjedhjes së presidentit, është shndërruar gjatë javë, në një proces tipik të Cosa Nostras. Edi Rama për të zgjedhur presidentin ka zgjedhur procedurat më mafioze me emra në zarfe sekret. A e dini se cili ka dalë emri më i përfolur nga zarfet? Sipas statistikat e Edi Ramës 2/3 e votës i kanë shkuar Vali Bizhgës.
Demokratët sipas tij duhet të refuzojnë tryezën, por jo Parlamentin, pasi Berisha është i bindur se në tre raundet e para, nga PD nuk do të ketë rrjedhje votash.

Asnjë kandidaturë të propozuar nga Rama nuk do ta votoja. Kjo sepse rregull i është rregulli; nëse mazhoranca vendos që presidentin t’ia japë opozitës, është opozita ajo që negocion dhe përzgjedhje dhe paraqet emra dhe vendoset. Edi Rama po bën të kundërtën dhe po të implikohesh me zarfe, është njëlloj si një tender sekret. Në votimin në parlament do të jemi, por në një proces të bazuar në zarfe sekret nuk mund të përzihemi. Ajo që është opozitë e vërtetë nuk e bën. Se çfarë do të bëjë Alibeaj dhe Balla është punë e tyre. Alibeaj është përdorur ditën e djeshme në shkallën më ekstreme.

Nuk është më e fshehtë që të dy nuk e pranojnë më njëri-tjetrin publikisht, por Sali Berisha është optimist se luftën me Edi Ramën do ta fitojë në çdo kohë.